Librazhd, Ura e Kamares rrezikon shembjen u ndërtua në vitin 1715
LIBRAZHD- Në qarkun e Elbasanit edhe ato ura të pakta antike që kanë mundur t’i mbijetojnë kohës, vitet e fundit po tregojnë shenja të "plakjes". Kjo është një nga urat më të njohura antike të këtij rajoni, e ndërtuar rreth vitit 1715. Ura antike e Kamares është e njohur si monument kulture dhe ndodhet në Xibrakë të komunës së La
binot Fushës, rreth 10 km pranë qendrës së qytetit të Elbasanit. Kjo urë fatkeqësisht rrezikon shembjen, si shkak i agjentëve atmosferikë por edhe mungesës së mirëmbajtjes. Aktualisht njëra nga pesë këmbët e urës është shumë e dëmtuar, përveçse në balloren e këmbës së katërt, kanë dalë gurët duke krijuar zgavra në murin anësor vertikal. Sipas specialistëve por dhe banorëve të fshatit, prej 20 vjetësh ura nuk ka njohur asnjë rikontruksion për mungesë fondesh nga qeveria. Të vetmet punime restauruese janë kryer ne vitet 1982 dhe 1991, nga Dega e Monumenteve të Kulturës Tiranë, ku u ndërtua një mur mbrojtës në bregun e djathtë për të pakësuar gërryerjen e bregut në këtë anë. Sipas mbishkrimit turqisht në pllakën e gurit të Kamares, e cila sot ruhet në qendrën e Monumenteve të Kulturës në kryeqytet, ura është ndërtuar në vitin 1715 nga një specialist nga Elbasani. Ura e Kamares lidhte rrugën mesjetare të Karvaneve që vinte nga Elbasani e që prej urës së Haxhi Beqarit kalonte majtas lumit, duke ndjekur trasenë e rrugës antike Egnatia për të vazhduar në Korçë e më tej në Maqedoni, Greqi. Gjithashtu në këtë urë shkëputej dega rrugore që lidhte Elbasanin me krahinën e Dibrës nëpërmjet Klenjës e Zerqanit. Ura e Kamares është interesante përsa i përket anëve arkitekturore me përpjestimet harmonike mur-hapësirë dhe me trajtim konstruktiv. Si ndërtim, në përgjithsi ajo qëndron e lidhet hijshëm me natyrën mal-shtrat lumi që e rrethon.