FRYMA E RE DEMOKRATIKE
Programi minimal politik
FRYMA E RE DEMOKRATIKE është parti e lirisë dhe e barazisë, parti e mundësive dhe e shanceve të barabarta për të gjithë. FRD është parti e hapur për të gjithë shqiptarët, parti e shprehjes së lirë të mendimeve, parti e debatit dhe diversitetit, parti e konkurencës së lirë të alternativave brenda saj, parti e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet nëpërm
jet votimeve të gjithë antarësisë së saj me parimin demokratik ”Një anëtar, një votë”. FRD është parti e rrotacionit të elitave nëpërmjet kufizimit të mandateve të drejtuesve të saj, të cilat nuk mund të përsëriten më tepër se një herë, është parti e mendimit dhe veprimit progresiv. FRD është një parti me demokraci të brendëshme të sanksionuar. Ajo synon të përçojë këtë frymë jetëdhënëse për fatet e demokracisë në jetën e përditëshme dhe në institucionet e vendit. FRYMA E RE DEMOKRATIKE është parti e shpresës së të gjithë shqiptarëve. Në programin e saj politik Fryma e Re Demokratike është përcaktuar si parti e qendrës së djathtë, që synon ridimensionimin e këtij poli të rëndësishëm dhe implementimin e parimeve dhe rregullave të të djathtës së përparuar në jetën politike të vendit. Fryma e Re Demokratike synon njëkohësisht anëtarësimin e saj në një kohë sa më të shpejtë dhe me të drejta të plota në grupimin e Partive Popullore Europiane. FRD është e angazhuar të realizojë programin e saj politik duke ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe funksionale, që buron nga parimi i shenjtë i saj, respektimi i votës së lirë të shqiptarëve. FRD është e angazhuar të garantojë në të gjitha drejtimet, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit si dhe në dokumentet ndërkombëtare. Ajo do të jetë Parti e respektimit të lirisë së mendimit dhe veprimit, dinjitetit dhe aspiratave të qytetarëve të lirë shqiptarë, respektimit të të drejtave dhe lirive të besimeve fetare, zhvillimit të vlerave më të mira të familjes shqiptare, forcimit të drejtësisë shoqërore. FRD është e angazhuar të ndërtojë shtetin e së drejtës, duke garantuar ndarjen reale të pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve, si garanci për funksionimin demokratik të vendit. Qëllimi i saj madhor do të jetë hartimi dhe përafrimi i korpusit ligjor shqiptar me legjislacionin e BE dhe atë ndërkombëtar, forcimi dhe pavarësia e sistemit gjyqësor, si garanti i respektimit të ligjit dhe të të drejtave themelore të njeriut. Ajo është e vendosur të demonstrojë se të gjithë do të jenë të barabartë përpara ligjit, duke shkëputur një herë e mirë sistemin gjyqësor nga influenca e politikës dhe korrupsioni, nëpërmjet implementimit realisht të një infrastrukture ligjore në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me legjislacionin më të mirë dhe më të përshtatshëm bashkëkohor. FRD është e angazhuar të nxisë, forcojë dhe të konsolidojë në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet reformave ekonomike, konkurrencën e ndershme, tregun e lirë dhe prodhimin vendas, si instrumente vendimtare në interes të zhvillimit të shpejtë të vendit, dhe të godasë monopolet dhe politikat klienteliste, si pengesa të mëdha të këtij zhvillimi. FRD është e angazhuar të kthejë vëmendjen tek arsimi shqiptar duke çmuar se ai ka një rol të pazëvendësueshëm në jetën shoqërore të vendit. Arsimi do të jetë objekt i një reformimi të thellë dhe të gjithanshëm, që do synojë krijimin e një armate profesionistësh të vërtetë dhe rikthimin e dinjitetit të humbur të tij, në mënyrë që të plotësojë pa asnjë lëkundje, misionin fisnik dhe kombëtar që ka. FRD është e angazhuar të zgjidhë përfundimisht dhe në mënyrë të drejtë çështjen e pronës, duke ndjekur një politikë të ndershme, transparente dhe të vendosur. Kthimi i pronave tek pronarët e vjetër dhe legjitimë aty ku është i mundur, si dhe kompensimi real i tyre sipas vlerës se tregut, aty ku nuk është i mundur, do të jetë detyrimi moral dhe ligjor i FRD. FRD është e angazhuar të realizojë përfundimisht kërkesat legjitime të shtresës së ish të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë të regjimit komunist për kompensimin e plotë dhe integrimin e tyre dhe të pasardhësve të tyre në jetën shoqërore dhe politike, si një detyrim madhor që shoqëria shqiptare ka ndaj tyre. FRD është e angazhuar që, nëpërmjet rritjes së autoritetit të shtetit, të garantojë rendin, sigurinë e individit, pronës dhe të gjithë shoqërisë, nëpëmjet luftës pa kompromis dhe goditjes së pamëshirshme me forcën e ligjit të të korruptuarve dhe keqbërësve. FRD është e angazhuar të punojë pa ndërprerje për decentralizimin e pushtetit lokal, në përputhje me interesat e qytetarëve shqiptarë dhe në zbatim të Kartës së Autonomisë së Qeverisjes Vendore. FRD angazhohet të kthejë vëmendjen tek bujqësia si një nga drejtimet kryesore ku duhet përqëndruar ekonomia shqiptare. Politikat ekonomike do të synojnë nxitjen e iniciativës dhe mbështetjen e fermerit shqiptar në funksion të rritjes së vazhdueshme të prodhimit vendas. Njëherësh do të nxiten investimet dhe politikat që do ti kontribuojnë rritjes së cilësive të turizmit, si një nga resurset më të rëndësishme që ka vendi. FRD është e angazhuar të ruaj dhe të zhvillojë me tej identitetin dhe trashëgiminë historike dhe kulturore kombëtare, nëpërmjet investimeve dhe një legjislacioni bashkëkohor, duke respektuar historinë e kombit, pa të cilën nuk mund të ngrihet e ardhmja. FRD është e angazhuar të zhvillojë sportin në rolin e tij si një ambasador i fuqishëm i imazhit të vendit nëpër botë, duke investuar në infrastrukturën dhe në promovimin e talenteve të ndryshme. Në arenën ndërkombëtare, FRD është e angazhuar të punojë me vendosmëri për të krijuar të gjitha kushtet dhe detyrimet që Shqipëria të bashkohet në mënyrë të pandashme me familjen e madhe europiane. Ajo është e vendosur të forcojë me tej marrëdhëniet me partnerët dhe aleatët tanë, SHBA dhe BE. FRD është e angazhuar të mbrojë fuqishëm dhe pa hezitim interesat kombëtare dhe të gjithë shqiptarët kudo në botë, duke synuar që çdo shqiptar të ndjehet krenar kudo ku gjendet. Gjithashtu, FRD angazhohet të ketë në vëmendje çdo emigrant duke kërkuar që ata të trajtohen me dinjitet në vendet ku gjenden si dhe të nxisë politika ekonomike me interes për këdo emigrant që kërkon të rikthehet dhe të investojë në Shqipëri. FRD është e angazhuar të zhvillojë marrëdhënie të konsoliduara me fqinjët, me respekt të ndërsjelltë dhe me dinjitet të plotë kombëtar, duke bashkëpunuar dhe kontribuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe demokracisë në rajon e më gjerë. FRD angazhohet të zbatojë programin e saj duke synuar të kthejë shpresën e shqiptarëve tek demokracia dhe të lartësojë vlerat më të mira njerëzore. Grupi nismëtar i FRD